Një episod mjaft i veçantë ka ndodhur pas ndeshjes së Barcelonës kundër Getafes, ku skuadra fitoi 2-1. Në mbyllje të sfidës, të gjitha adresat në gjuhë të ndryshme që i përkasin katalanasve në Twitter janë thyer nga një grup hakerësh, “OurMine” që janë tallur me nivelin e dobët të sigurisë të një klubi të tillë në rrjetet sociale.

Në të gjitha profilet shfaqej mesazhi i hakerëve. “Përshëndetje, jemi OurMIne. Dakord, kjo është hera e dytë që e bëjmë këtë gjë. Niveli juaj i sigurisë është përmirësuar, por ende jo si duhet. Për të përmirësuar sigurinë e adresave tuaja, na kontaktoni”, ishte ftesa që i bënin klubit.

Përveç kësaj, për disa çaste në të gjitha këto profile shfaqej foto e Nejmar me fanellën e katalanasve, duke bërë që për pak minuta tifozët e klubit të mendonin se mos ishte realizuar transferimi i shumëdiskutuar i brazilianit.

Pas pak minutash, situata u normalizua dhe Barcelona mori në kontroll të plotë adresat veta duke fshirë mesazhet.

albeu.com